Masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Europian kanë sjellë pasoja financiare. Mbi 613 milionë euro konsiderohet se është vlera e projekteve që janë pezulluar, ndërsa mbi 7 milionë janë humbur tërësisht. Heqja e graduale e masave është paralajmëruar nga Kaja Kallas por nuk është sqaruar se kur ato do të hiqen tërësisht.
Prej dy vitesh Kosova është nën masat ndëshkuese të Bashkimit Europian. Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme Kaja Kallas paralajmëroi heqjen graduale të tyre duke kushtëzuar me situatën në terren në veri.
Bashkimi Europian nuk ka sqaruar se cilat masa kanë filluar të hiqen fillimisht apo se kur ato do të hiqen plotësisht.
Mirëpo, ajo çfarë dihet janë pasojat financiare të këtyre masave ku disa prej projekteve të cilat kanë qenë të planifikuara të realizohen janë pezulluar ndërsa disa të tjera kanë humbur në tërësi.
“Vlera totale e këtyre projekteve është 613.4 milionë euro. 7.1 milionë euro nga kjo vlerë kanë humbur në tërësi kjo si rezultat i kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara. Këto masa kanë ndikuar direkt në zbatimin e projekteve që financohen nga fondet IPA në vlerë prej 218 milionë euro dhe ËBIF në vlerë prej 395.5 milionë euro”, tha për A2 CNN Adelina Rukolli nga Instituti GAP.
Nga fondet IPA janë ndikuar marrëveshjet e nënshkruara nga vitit 2020, 2021 dhe 2022 dhe një marrëveshje e paproceduar që është e vitit 2024.
Ndërsa nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) janë bllokuar tetë aplikime për grante dhe kredi. Dy prej tyre gjatë vitit 2023 dhe gjashtë të tjera gjatë vitit 2024.
“Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro”, theksoi Rukolli për A2 CNN
Humbësit më të mëdhenj konsiderohen qytetarët pasi ka projekte që përfshirjen e shtrirjen e rrjetit të ujërave të zeza apo edhe të ngrohtores.
Masat ndëshkuese u vendosen pas trazirave në katër komunat e veriut ku serbët kundërshtonin vendimin që kryetarët shqiptarë të hynin në objektet komunale. (A2 Televizion)