Osmani pret konstituimin e kuvendit, Presidenca ka bërë gati ligjin për heqjen e tarifave

Nga Rosalba Bejdo
14 Prill 2025, 20:22 | Ekonomi

Osmani pret konstituimin e kuvendit, Presidenca ka bërë gati ligjin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Zyra e Presidencës ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri.

Më 3 prill, Osmani i kërkoi Qeverisë ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.

Por, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e kishte kritikuar qasjen e presidentes Osmani duke thënë se “politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit” dhe se këto çështje duhet të trajtohen larg mediave. Kjo kishte nxitur reagim nga këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, i cili e kishte cilësuar përgjigjen e Muratit “të turpshme dhe skandaloze”.

Osmani tha se kjo mosmarrëveshje mes institucioneve shtetërore të Kosovës e ka dëmtuar “interesin e Republikës së Kosovës jashtë mase”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos