Rritja e çmimit të naftës, ministrja Kusari-Lila nënshkruan vendimin për marzhin e fitimit

Nga Ideal Gola
4 Mars 2026, 15:21 | Ekonomi

Rritja e çmimit të naftës, ministrja Kusari-Lila

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar sot vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve në tregun vendor, si pasojë e zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Sipas ministres, ndërhyrja ka qenë e domosdoshme për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe të ndershme në tregun e Republikës së Kosovës.

“Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes”, ka deklaruar ministrja Kusari-Lila.

Me këtë vendim është caktuar marzha tregtare maksimale e lejuar për operatorët ekonomikë. Për shitjen me shumicë, marzha maksimale do të jetë deri në 2 euro centë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë deri në 12 euro centë për litër.

Ministrja ka bërë të ditur se inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit dhe për të siguruar respektimin e marzhave të përcaktuara. Çdo shkelje apo moszbatim do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ministrja Kusari-Lila ka sqaruar se llogaritja e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë është bërë në përputhje me nenin 4, paragrafi 1.1 dhe 1.2 të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.

Përmes kësaj mase, synohet që të ruhet stabilitetin në treg, të parandalohen abuzimet me çmime dhe të sigurohet mbrojtje efektive për konsumatorët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos