Kosova ka hequr të gjitha tarifat ndaj produkteve amerikane. Vendimi u mor nga kabineti qeveritar që u mblodh paraditen e së premtes. Kosova deri më tani aplikonte një tarifë doganore në masë 10% ndaj mallrave amerikane. Presidenti amerikan Donald Trump në muajin prill urdhëroi masë reciproke ndaj produkteve kosovare përmes një tarife 10%. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se ky vendim është dëshmi e raporteve të mira mes dy vendeve dhe hap rrugë për një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara.
"Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm që kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar si dhe shtimin e investimeve. Ky është një hap i radhës që dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe njëkohësisht tregon përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për të pasur një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Kurti.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se ky vendim është vazhdimësi e politikave të pandara me Shtetet e Bashkuara në forcimin e një partneriteti të mirëfilltë, shkruan A2 CNN.
"Gjatë 4-vjeçarit që lamë prapa marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një transformim substancial i cili ka çuar në forcim të marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha të rëndësishme dhe sidomos në fushën e sigurisë dhe në diplomaci", u shpreh Gërvalla.
Presidentja Vjosa Osmani, që kishte bërë një kërkesë zyrtare ndaj Ministrisë së Financave në fillim të prillit për largimin e kësaj takse, reagoi duke thënë se Kosova është aleati më i besueshëm i Amerikës.
Vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës erdhi vetëm një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump prezantoi tarifat e reja ndaj 69 vendeve që do të hyjnë në fuqi nga data 7 gusht që prek disa nga vendet e rajonit por jo edhe Kosovën. (A2 Televizion)