Pas marrëveshjes për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë filluar të bien, ndërsa ky trend tashmë po reflektohet edhe në Kosovë. Sipas Shoqatës së Naftëtarëve dhe ekspertëve të ekonomisë, stabilizimi i situatës gjeopolitike kanë ulur presionin mbi çmimet e karburanteve. Të njëjtit vlerësojnë se pompat e derivateve në vend, duhet të reflektojnë menjëherë me ulje të çmimit, raporton KosovaPress.
Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thotë se pas uljes së tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, tregjet janë më të qeta dhe çmimet kanë nisur të shënojnë rënie.
Berjani gjithashtu ka bërë të ditur se çmimet aktuale në tregun kosovar janë, nafta 1.24 euro -1.32 euro, dhe benzina, 1.23 euro - 1.31 euro për një litër.
“Pas marrëveshjes për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit, tensionet janë ulur dhe çmimet e naftës kanë filluar të bien. Tregjet nuk po e shohin më si të afërt rrezikun për një luftë të madhe apo mbylljen e ngushticës së Hormuzit, që është rrugë kyçe për furnizimin me naftë. Prodhimi i lartë nga SHBA dhe kërkesa më e dobët nga Kina dhe Evropa po e shtyjnë çmimin edhe më poshtë. Por nëse armëpushimi prishet ose ka ndonjë sulm në zonat e naftës, çmimet mund të rriten sërish shumë shpejt. Çmimet aktuale në Kosovë janë, Diesel: 1.24€-1.32€, benzin: 1.23€-1.31€”, thotë Berjani./kosovapress (A2 Televizion)