Gërvalla: Drafti për asociacionin nuk është shumë i mirë

Nga Xhevahir Qardaku
24 Nëntor 2023, 13:20 | Kosova

“Drafti është jo shumë i mirë, ka shumë sfida”. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, shpreh shqetësime lidhur me draft-statutin për formimin e asociacionit, por konfirmon se është një bazë e mirë për të punuar me të, pasi adreson shumë nga problemet e ngritura në të kaluarën.

Kryediplomatja kërkoi durim për mospublikimin e dokumentit dhe nënvizoi se qeveria nuk do të pranojë diçka që është e dëmshme për Kosovën: “Drafti nuk ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës dhe nuk është e drejtë pyetja pasi përgjigjja nuk varet nga ne. Po të ishte për neve si qeveri, ne menjëherë të nesërmen do ta kishim publikuar. Kjo është kërkesë e atyre që fasilitojnë procesin e negociatave”.

Gërvalla shtoi se takime trilaterale në Bruksel nuk mund të ketë derisa Bashkimi Europian të ndëshkojë Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë. Lidhur me njohjet e reja të pavarësisë, ministrja tha se nuk mund ta tregojë me saktësi se kur do të ketë: “Unë mund t’iu them se asnjë ditë nuk kalon pa punuar intensivisht për njohjet e reja, në radhë të parë të pesë vendeve jo njohëse të BE-së dhe pastaj në kontinentet të tjera”.

Përpara se të fliste për mediat, Gërvalla raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvend. Ministrja sqaroi se shuma prej 7500 eurove për këshilltarin e jashtëm, Gani Jakupi, nuk ishte pagë mujore, por një projekt 1-vjeçar për angazhimin e tij në vendet mosnjohëse të Kosovës.

Asaj iu përgjigj ashpër deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi: “Kur të flas unë, të lutem dëgjo. Ti nuk ke nevojë me tregu a jam jashtë temës apo jo. Mbylle! Kështu që, ligjin për shërbim të jashtëm nuk e ke dorëzuar dhe je në fund të mandatit. Ti nuk ke lidhje me politikën e jashtme, nuk e di çfarë flet, ti je vetëm kukull e Dejona Mihalit”.

Ky reagim erdhi pasi Gërvalla tha se nuk flet për financa me PDK, duke e akuzuar këtë forcë politike se kur ishte në pushtet ka paguar 4,5 milionë euro për qëllime të tjera dhe jo për njohje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos