Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv, thotë se heqja e vizave për qytetarët nga Kosova është hap i rëndësishëm për të dyja vendet.
Sipas saj, udhëtimi pa barriera do të mundësojë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike e kulturore. Por marrëveshja konkrete duhet që të firmoset.
“Mendoj se marrëdhënia mes shteteve bazohet në faktin që njerëzit e secilit vend të takohen me tjetrin lehtësisht dhe sa më shumë që të jetë e mundur. Pra, heqja e nevojës për vizë dhe mundësimi i qytetarëve të Kosovës që të vijnë dhe të vizitojnë lehtësisht Izraelin është një hap shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet që do të mundësojë më shumë shkëmbim ndërmjet njerëzve, turizmit, marrëdhënieve ekonomike dhe marrëdhënieve kulturore. Çdo lloj shkëmbimi mes popujve të Izraelit dhe Kosovës tani do të bëhet shumë i lehtë. Tani po hyjmë në proces, ka një marrëveshje që duhet të nënshkruhet midis vendeve. Pra, kjo është një çështje ligjore mes dy ministrive të punëve të jashtme. Ata duhet të finalizojnë tekstin e marrëveshjes dhe të vendosin datën në të cilën ajo do të hyjë në fuqi. Besoj se do të ndodhë në muajt e ardhshëm.” (A2 Televizion)