KFOR të rrisë kapacitetet, Gjermania i druhet konfliktit, zgjat misionin e trupave në Kosovë

Nga A2 CNN
31 Maj 2024, 19:57 | Kosova

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, duhet të rrisë kapacitetet e veta, për të penguar përshkallëzimin e situatës në Kosovë, dhe për të ndërhyrë fuqishëm në rast emergjencës.

Kështu vlerëson, Qendra për Operacione ndërkombëtare të Paqes, ZIF, e cila është një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga qeveria gjermane dhe Bundestagu në 2002.

Në një raport, organizata paralajmëron se zgjedhjet europiane dhe amerikane po lënë në hije Ballkanin Perëndimor, diçka që siç pretendon, rrit potencialin për konflikt.

Qendra për Operacione Ndërkombëtare të Paqes Zgjedhjet evropiane dhe amerikane po hedhin hijen gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.

Kjo rrit potencialin për konflikt, veçanërisht pasi dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ka hyrë në një ngërç.

Serbia e mbështetur nga operacionet e ndikimit rus, po vepron gjithnjë e më shumë në mënyrë revanshiste, duke kërkuar krijimin e një “bote serbe” dhe natyrshëm po shpreson në fitoren e Donald Trump.

Shqetësimi i Gjermanisë lidhur me situatën në Veriun e Kosovës, materializohet edhe në vendimin e njoftuar rishtazi nga qeveria, për zgjatje të mandatit të trupave gjermane në misionin e KFOR, me një tjetër vit, siç thuhet, për të siguruar paqen dhe sigurinë në rajon.

Si më parë, deri në 400 ushtare  gjermanë do të mund të dërgohen për këtë mision.

Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit, tha se kontributi I KFOR është i nevojshëm për stabilizim të sigurisë dhe konsiderohet shtylle kryesore e stabilitetit në rajon.

Misioni, i udhëhequr nga NATO, u rrit me rreth 1 mijë trupa pas përshkallëzimit të tensioneve vitin e kaluar, dhe numëron tani 4440 pjesëtarë nga 24 vende të aleancës të atlantikut të veriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos