Vrasja e një tjetër gruaje, e dyta brenda kësaj jave, tronditi sërish Kosovën. Presidentja Vjosa Osmani pasi shpalli të mërkurën ditë zie, kërkoi angazhim nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë për parandaluar rastet e dhunës.
“Ky fenomen i tmerrshëm që po plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid me përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht. Mënyra e vetme për të ndalë atë është nëse ri zgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet dhe si komb. Duhet të çohemi në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash dhe gra për të humbur. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve që të ndalim njëherë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore”, tha Presidentja Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se mbështet thirrjet që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për vrasjet e fundit.
“Institucionet e sigurisë gjithmonë duhet të mblidhen për raste të tilla. Është edhe kjo arsye, pasi këtë javë i patëm dy vrasje të grave. Kjo është tronditëse dhe trishtuese”.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist protestuan para objektit ku po mbahen Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me kërkesën që të shpallet gjendja e emergjencës.
“Ne deshëm të hyjmë brenda dhe të përballemi me presidenten (Osmani) dhe t’i themi që të thërrasë në mënyrë urgjente Këshillin Shtetëror të Sigurisë dhe të shpallet gjendja emergjente, megjithatë me atë që ne u pamë dhe me çka ne u ballafaquam me një qasje e tmerrshme e shtetit ku na u mohu hyrja brenda dhe u trajtuam si kriminelë”, tha Liridona Sinjarina.
Organizatat e shoqërisë civile në Pejë kanë thirrur për të mërkurën një marsh paqësor në shenjë revolte ndaj vrasjes së Gjyljeta Ukellës që u privua nga jeta mëngjesin e së martës nga burri i saj Edmond Lajçi në sytë e tre fëmijëve. (A2 Televizion)