Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur gjashtë degë të Bankës së Kursimeve të Postës së Serbisë dhe pesë filiale të tjera të saj në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.
Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës. Në reagimin e tij, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se, operacioni u bë me qëllimin e vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë në veri të vendit.
“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi. Përgëzoj të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e treguar”, tha Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i Kosovës.
Sakaq zyrtarët në Serbi kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës ndaj objekteve të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në Kosovë. Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, e cilësoi aksionin si “akt barbar që drejtpërdrejt kërcënon mbijetesën e popullit serb” në Kosovë. “Kujt dhe pse po iu pengon Banka Postare Kursimore? Për shkak të çekut. Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Evropë që nuk mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? Apo asgjë nuk iu lejohet”, tha Vuçeviç, sipas një njoftimi të Qeverisë serbe.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në reagimin e tij për këtë aksion, tha se kryeministri Kurti vazhdon “me terror ndaj popullit serb” në Kosovë, duke kryer “bastisje në degët e Bankës Postare Kursimore”.Ai shtoi se “kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme”. Aksioni i autoriteteve të Kosovës, vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave. (A2 Televizion)