
Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit të Kulturës në Qeverinë serbe, Nikolla Sellakoviq, lidhur me parregullsitë gjatë heqjes së statusit të pasurisë kulturore për ndërtesat e kompleksit “Shtabi i Përgjithshëm” në qendër të Beogradit.
Prokuroria njoftoi më 15 dhjetor se aktakuzë është ngritur edhe ndaj sekretares së Ministrisë së Kulturës, Sllavica Jellaqe, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiq, si dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Qytetit të Beogradit, Aleksandar Ivanoviq.
Të gjithë dyshohen për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Në vendin ku ndodhet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm, i shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, është planifikuar ndërtimi i një kompleksi luksoz nga kompania investuese “Affinity Partners” e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Prokuroria serbe bëri të ditur gjithashtu se “vazhdon ndërmarrjen e veprimeve për të përcaktuar nëse edhe në veprimet e disa personave të tjerë ekzistojnë elemente të veprës penale”.
Që nga muaji maj, Prokuroria për Krim të Organizuar po zhvillon hetime për dyshime mbi falsifikimin e dokumentacionit, në bazë të të cilit Qeveria e Serbisë ia hoqi statusin e pasurisë kulturore ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.
Sipas njoftimeve të mëhershme të Prokurorisë, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiq, ka pranuar që të falsifikojë dokumentacionin.
Në bazë të këtij dokumentacioni, Ministrisë së Kulturës – në krye të së cilës është Nikolla Sellakoviq nga radhët e Partisë Progresive Serbe (SNS) – u paraqit nisma për marrjen e vendimit për ndërprerjen e statusit të pasurisë kulturore për kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm.
Sellakoviq u mor në pyetje më 4 dhjetor dhe, pasi dha deklaratën, nuk foli për vetë procedurën, por bëri akuza dhe fyerje në adresë të Prokurorisë për Krim të Organizuar.
Pa paraqitur prova, ai i akuzoi ata se veprojnë me urdhër të qendrave të fuqisë, pa treguar se për cilat bëhet fjalë, por të cilat, sipas tij, synojnë rrëzimin e pushtetit në Serbi dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 11 dhjetor paralajmëroi se, në rast se ngrihet aktakuzë për çështjen e Shtabit të Përgjithshëm, do t’i falë të gjithë ata që “gjoja kanë marrë pjesë në keqpërdorime”.
“Nuk do t’u jap mundësi të ndjekin penalisht ata që nuk janë fajtorë për asgjë. Unë jam fajtor. Unë jam ai që desha modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që desha të sjell një investitor të madh”, deklaroi Vuçiq.
Me një ligj të posaçëm, të miratuar në Kuvendin e Serbisë më 7 nëntor, me të cilin Shtabit të Përgjithshëm i hiqet statusi i pasurisë kulturore, pushteti në Serbi hapi rrugën për ndërtim.
Projektin e kundërshtojnë protestuesit antiqeveritarë, opozita dhe një pjesë e komunitetit profesional, të cilët mbrojnë idenë e restaurimit dhe konservimit të ndërtesës së shekullit XX./REL (A2 Televizion)