Lirohet me kusht Isni Kilaj, Dhomat e Specializuara japin detaje

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2025, 15:40 | Kronikë

Lirohet me kusht Isni Kilaj, Dhomat e Specializuara japin detaje

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj është liruar sot me kusht në Kosovë, pas vendimit të marrë më 3 dhjetor 2025 nga Gjykatësi i Vetëm i Dhomave të Specializuara, i cili po shqyrton “Çështjen 12” ku Kilaj akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

Vendimi erdhi pas rishikimit të rregullt të masës së paraburgimit, proces që kryhet çdo dy muaj në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara, gjykatësi vlerësoi se rrethanat kishin ndryshuar në mënyrë të ndjeshme që nga tetori 2025 dhe se vazhdimi i paraburgimit të Kilajt nuk ishte më i arsyeshëm apo proporcional. Edhe pse gjykatësi pranoi se ekziston njëfarë rreziku që në kushtet e lirisë Kilaj mund të ndikojë në procesin gjyqësor ose të kryejë vepra të tjera penale, ai arriti në përfundimin se e drejta e tij themelore për liri peshon më shumë se këto rreziqe, shkruan A2 CNN.

Në vendim u theksua se koha e kaluar nga Kilaj në paraburgim tashmë e tejkalon dënimin minimal të mundshëm në rast se shpallet fajtor. Gjykatësi mori parasysh gjithashtu faktin se gjatë lirimit të tij të mëparshëm me kusht në vitin 2024 nuk ka pasur asnjë provë se ai ka tentuar të pengojë procesin. Po ashtu, përfundimi i paraqitjes së provave në çështjet e tjera të ngjashme dhe rreziku shumë i ulët i ndikimit tek dëshmitarët kontribuuan në vendimin për lirimin e tij.

Më tej thuhet se Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tij janë caktuar disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit të tij ndaj dëshmitarëve në ҫështjen gjyqësore kundër të tij ose në ҫështje të tjera gjyqësore në Dhomat e Specializuara, raporton A2 CNN.

Në rast të shkeljes së cilitdo prej kushteve, autoritetet do të lëshojnë menjëherë urdhër arresti.

“Në vendim përcaktohet se në qoftë se z. Kilaj do të shkelë cilindo prej kushteve të lirimit të tij, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos