
Gjykata Themelore dënoi me burgim dhe gjobë shtetasin Lubisha Millkoviç, pasi ai pranoi fajësinë për dhunën ndaj ushtarëve te KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në protestën e 29 majit 2023 në Komunën e Zveçanit.
Millkoviç e pranoi fajësinë në një marrëveshje me Prokurorinë Speciale, e cila akuzoi atë për veprat penale, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi. Avokati mbrojtës i tij, tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur me vullnet të plotë.
Millkoviç u arrestua më herët këtë vit dhe gjykata tha se ai do të mbahet në paraburgim derisa aktgjykimi ta ketë marrë formën e prerë. Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur– disa prej tyre në gjendje të rëndë, pas përleshjes me protestuesit serbë në maj të 2023-shit.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. (A2 Televizion)