
Autoritetet kosovare e kanë arrestuar të mërkurën një burrë nën dyshimet se kishte sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në vend, si dhe të Policisë së Kosovës, gjatë protestave të vitit 2023 në veri të vendit.
Në një njoftim të shkurtër në Facebook, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk dha më shumë hollësi për të dyshuarin, duke e identifikuar atë vetëm me inicialet S.R.
Ai u arrestua gjatë një aksioni mes prokurorëve dhe hetuesve policorë nga Drejtoria për Krime të Rënda dhe Krim të Organizuar të mërkurën, sipas njoftimit.
"Në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale", thuhet në njoftim, përcjell A2.
Ai është ndaluar për 48 orë mbi dyshimet për veprat penale si, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Prokuroria tha se do të kërkojë nga gjykata në Prishtinë që i dyshuari të mbahet në paraburgim, teksa hetimet ndaj tij vazhdojnë.
Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në maj të vitit 2023 në Zveçan.
Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.
Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra të dyshuar për dhunën në Zveçan vitin e fundit.
Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë.
Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.
NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës./ REL (A2 Televizion)