
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet seanca fillestare në rastin e shpërthimit në kanalin Ibër–Lepenc në fshatin Varragë, në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës.
Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit për veprat penale: “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”, “kryerje e aktit terrorist”, “armëmbajtje pa leje” dhe “spiunazh”.
Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq janë arrestuar pas shpërthimit më 29 nëntor 2024 dhe, që nga ajo kohë, ndodhen në paraburgim.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq, së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv brenda kanalit”.
Ata, sipas aktakuzës, aktivizuan mjetin shpërthyes përmes një çante që e kishin lidhur me litar për një shtyllë betoni, çka bëri që të dëmtohej rëndë struktura prej betoni e kanalit Ibër–Lepenc, të ndërpritej furnizimi me ujë të pijshëm, të rrezikohej prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa ndërmarrjes Ibër–Lepenc t’i shkaktohej dëm në vlerë prej gati 400 mijë eurosh.
Prokuroria Speciale Jovan Viqentijeviqin e akuzon gjithashtu për spiunazh, pasi, siç thuhet, deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim të përdorimit të tyre gjatë aktiviteteve të kundërligjshme në territorin e Kosovës.
Në hetimin e këtij rasti, Kosova ka bashkëpunuar me partnerë evropianë dhe amerikanë, ndërsa janë sekuestruar edhe armë dhe eksploziv.
Diplomatë amerikanë kanë deklaruar më herët se në hetim kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt edhe agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI).
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 10 dhjetor se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.
Beogradi zyrtar ka mohuar çdo lidhje me këtë shpërthim, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më herët se ka disa njohuri se kush mund të jetë kryerësi, pa dhënë më shumë detaje.
Ai ka shprehur gatishmërinë e Beogradit për bashkëpunim në zhvillimin e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe ka deklaruar se “në të njëjtin sekondë” do të ndalohet dhe arrestohet kushdo nëse rezulton se përgjegjës është një person i etnisë serbe që ndodhet në territorin e Serbisë.
Kryeprokurori publik në Beograd, Nenad Stefanoviq, ka thënë pas shpërthimit se pret një “hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”.
Megjithatë, deri më tani, nuk dihet nëse organet e drejtësisë në Serbi kanë nisur ndonjë hetim. (A2 Televizion)