
Në pikë kalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fshatin Merdare, është ndaluar një automjet, në të cilin ishte fshehur një shumë prej 1 milion eurosh te padeklaruara. Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, pas një kontrolli të detajuar, gjetën shumën në një hapësirë të improvizuar të automjetit.
Në një postim në Facebook, Dogana e Kosovës zbuloi të dhëna të detajuara mbi ngjarjen.

“Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike.
Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit.
Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro”. (A2 Televizion)