Kosovari i arrestuar nga Serbia, Prishtina kërkon ndihmë nga Quint: Veprim arbitrar

Nga Rosalba Bejdo
2 Qershor 2024, 11:05 | Kronikë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë e ka dënuar si arbitrar arrestimin e një shtetasi kosovar nga autoritetet serbe të shtunën, duke thënë se i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë në lirimin e tij të menjëhershëm.

Në një komunikatë për media, ministria bëri të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi u njoftua të shtunën për arrestimin e Tefik Mustafës në pikëkalimin kufitar Merdarë, për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë joshqiptare.

Ministria e Jashtme tha se e dënon “ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit”.

Ajo kërkon që shteti serb të mbahet përgjegjës “për këto veprime arbitrare dhe destruktive, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Për arrestimin e Mustafës, Ministria e Punëve të Jashtme tha se ka njoftuar menjëherë vendet e QUINT-it në Kosovë dhe misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos