
Serbi Bojan Jevtiç ka pranuar fajësinë për veprën penale “spiunazh” dhe për “armëmbajtje pa leje”. Ai është dënuar me 6 vite burgim dhe 2000 euro gjobë nga Gjykata Themelore e Prishtinës në seancën e së martës, shkruan A2 CNN.
I pandehuri dhe Prokuoria Speciale kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, duke thënë se Jevtiç ka ndihmuar në zbardhjen e rastit. Si dënim plotësues për Jevtiç, ai është ndaluar të angazhohet në funksione publike për një periudhë 5-vjeçare pas përfundimit të dënimit si dhe për konfiskimin e pasurisë tashmë të konfiskuar, përfshirë 2 milionë dinarë, 500 franga dhe 10220 euro.
Jevtiç, i cili është pezulluar nga Policia e Kosovës, ku mbante gradën toger, në bazë të aktakuzës i ka dërguar Serbisë dokumente konfidenciale e sekrete, duke i dorëzuar nëpërmjet platformave të komunikimit me internet, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Në të shkruhet se i akuzuari ia ka dërguar ato Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA) dhe se me këtë veprim është rrezikuar rëndë siguria e Kosovës, për çka prokuroria ka kërkuar që dënimi ndaj tij të jetë konform paragrafit 6 të nenit 124 të Kodit Penal, që parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm. (A2 Televizion)