Policia në komunën me shumicë serbe të Zveçanit në veri të Kosovës ka bastisur një ndërtesë publike në të cilën ka gjetur thasë me rërë, që janë përdorur për barrikada në rrugën kryesore të Zveçanit.
Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani tha për A2 CNN se kishin pranuar informacione se për “disa gjëra materiale” që janë shfrytëzuar në kohën e barrikadave.
“Sot, gjatë kontrolleve që ka bërë policia ka konstatuar se në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetëra thasë të mbushur me rërë që kanë qenë si istikame për të sulmuar Policinë dhe në mbrojtje të barrikadës dhe kontrollimit të rrugës kryesore që të dërgon në Zveçan”, tha Elshani.
Ky objekt publik është shfrytëzuar nga pjesëtarët e organizatave terroriste si Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut.
“Kjo është edhe një dëshmi se grupet kriminale kanë qenë të armatosur rëndë dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës në rast se ata do të tentonin t’i largonin barrikadat”, tha Elshani. (A2 Televizion)