Varreza masive në Zubin Potok, Sveçla: Nuk ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit

Nga A2 CNN
29 Korrik 2026, 12:49 | Kronikë

“Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit të personit të zhdukur”.

Ishte zotimi që bëri ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, teksa vizitoi këtë të mërkurë fshatin në Zubin Potok ku u gjet një varrezë masive. Ai shoqërohej nga drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Në fshatin Kalludër e Vogël, po vazhdojnë gërmimet pas gjetjes së mbetjeve mortore dhe veshmbathjeve që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të zhdukur gjatë luftës, shkruan A2.

Pas vizitës në vendin e ngjarjes, Sveçla tha se zbulimi i kësaj varreze masive është rezultat i punës intensive të institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimit me qytetarët.  

“Puna intensive po vazhdon në disa drejtime, si në aspektin e gërmimeve ashtu edhe në atë hetimor, për t’i zbuluar të gjithë ata që janë fajtorë dhe përgjegjës”, deklaroi Sveçla.

Ai theksoi se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe për vënien para drejtësisë të të gjithë përgjegjësve për këto krime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos