Historia e “Bitëllsave” të Pogradecit, vëllezërit Darova që bënë muzikë edhe në internim

Nga Artin Halili
6 Qershor 2024, 08:44 | Kulturë

Ata janë njohur si Bitëllsat e Pogradecit, një bandë muzikore që në përbërje si anëtarë kishte një familje të tërë, familjen Darova e që një prej fansave të tyre më të famshëm kishin poetin e njohur pogradecar, Lasgush Poradeci. Në vitin 1927, banda e krijuar nga Nevruz Darova dhe të bijtë mori emrin Skautët.

Muhameti, më i madhi prej tyre e zbuloi talentin muzikor falë një harmonike që i dhuroi një murgeshë italiane në atë kohë, ndërsa pianon e mësoi nga muzikanti i njohur Rexhep Zëmblaku. Vëllezërit e tjerë ishin mjeshtra të instrumenteve të tjera, e kështu nisën së bashku të luanin në hotelet më të famshme në vend. Gjithçka shkoi mirë deri në ardhjen e sistemit komunist, ku vëllai i tyre Ylberi u arrestua për veprimtari politike e familja u detyrua të jetonte në zonat e varfra të Pogradecit, por pa e lënë kurrë pasionin për muzikën. 

Ndikimi i kulturave të huaja në muzikën që ata bënin i rrezikonin seriozisht, por pavarësisht kësaj, Agim Darova solli për herë të parë në Shqipëri një kitare elektrike. 

Grupi Skaut do të ndahej përfundimisht kur në një nga koncertet e tyre mori pjesë kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu. Në të njëjtin koncert ishte edhe një ministër rumun, në nder të të cilit, vëllezërit Darova luajtën një këngë rumune. Kjo duket se e mërziti partinë. Kur Shehu mësoi se familjen Darova ishte një familje e përndjekur politikisht, vendosi të shpërndante grupin. Vëllezërit u internuan të gjithë në qytete të ndryshme, në mënyrë që të mos luanin më bashkë.

Por edhe të ndarë, vëllezërit vazhduan të luanin dhe të bënin muzikë, duke krijuar në mënyrë anonime këngë të reja që as komunistët nuk mund t'i rezistonin. Sot, edhe pse të gjithë anëtarët e bandës kanë ndërruar jetë, muzika e tyre kujtohet ende nga ata që patën fatin t’i dëgjonin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos