Një nga shprehjet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza. E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja dallohet për lëvizjet e fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë.
Përfshirja e saj në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale është një tjetër hap në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj pasurie të çmuar të kulturës shqiptare.
Për studiuesit, pavarësisht ndryshimeve që ka pësuar ndër vite, ajo që ka mbetur e pandryshuar është jo vetëm legjenda dhe historia pas valles, por edhe identiteti i saj. Ajo lidhet me figurën legjendare të Osman Takës, luftëtar dhe valltar nga Konispoli, i cili, sipas gojëdhënës, kërceu këtë valle para se të ekzekutohej nga autoritetet osmane.
Vallja përfaqëson krenarinë, qëndresën dhe shpirtin e lirë të popullit çam, duke u kthyer në një simbol të kujtesës historike dhe identitetit kombëtar.
Ajo luhet zakonisht nga dy ose tre valltarë, ku valltari kryesor realizon figurat kryesore, ndërsa të tjerët e mbështesin. Vallja karakterizohet nga lëvizje të fuqishme, elegante dhe dinamike, që shprehin trimëri, krenari dhe sakrificë.
Një nga figurat më të njohura është momenti kur valltari përkulet mbrapa, derisa koka prek tokën, dhe shokët kalojnë mbi trupin e tij, duke simbolizuar sakrificën dhe solidaritetin. (A2 Televizion)