PROFIL/ Kush ishte akademiku Rexhep Qosja

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 12:56 | Kulturë

PROFIL/ Kush ishte akademiku Rexhep Qosja

Akademiku Rexhep Qosja u nda nga jeta ditën e sotme, në moshën 89-vjeçare. 

Familjarët theksojnë se kanë plotësuar dëshirën e akademikut, për ta varrosur me ceremoni private, shkruan A2. Nipi i akademikut bën me dije se Rexhep Qosja kishte lënë amanet që të mos organizohej ceremoni pritjeje nga familja, ndërsa shton se familjarët nuk do të marrin pjesë në organizime institucionale

Kush ishte Rexhep Qosja?

Rexhep Qosja kreu studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është specializuar në shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit. Është doktoruar me temën “Asdreni - jeta dhe vepra e tij”.

Ka qenë profesor i estetikës dhe drejtues i studimeve të shkallës së tretë për filologji në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni. Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës, ndërkohë që kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushner.

Qosja është marrë me prozë, tregime e romane, dramaturgji, histori të letërsisë, kritikë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë. Veprat “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Drama të tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra në ish-Jugosllavi dhe në Europë. 

Shkrimet e tij publicistike të botuara në shtypin kroat e slloven kundër politikës serbe ndaj shqiptarëve, duke filluar nga viti 1981, shënojnë fillimin e dejugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë.

Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës prej themelimit të saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i Republikës së Shqipërisë.

Është shpallur “Qytetar Nderi” i qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë.

Në vitin 2012 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi serinë e veprave të tij në 29 vëllime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos