Kurti ironizon opozitën: Serbia me ju donte të nënshkruante, me mua shpall zgjedhje

Nga Xhevahir Qardaku
3 Nëntor 2023, 14:21 | Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ironizoi opozitën në Kuvend, duke i thënë se kur dialogonte me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, Serbia ishte e gatshme ta nënshkruante Asociacionin, por tani ngurron.

Unë jam edhe i gatshëm për nënshkrim, edhe i interesuar. Beogradi nuk po do me nënshkru me mu. Ka nënshkru edhe me PDK edhe me LDK, aman më tregoni qysh ia keni bo ju që të mësoj edhe unë. Dilni këtu në foltore edhe më njoftoni sinqerisht, e mundësisht edhe kolegialisht e vëllazërisht, qysh ia keni bo bre që me juve nënshkruante?”, u tha Kurti deputetëve të opozitës.

“Me mu po më ik, s’po nënshkrun, po shpall zgjedhje. Në dialogun me ju, ai është konstant e në Kosovë mbaheshin zgjedhje, tash unë jam konstant e në Serbi mbahen zgjedhje!”.

Kreu i qeverisë tha përpara ligjvënësve se propozimi i ri për Asociacionin, sapo të dakordohet, parashikohet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të parë nëse ka ndonjë shkelje, teksa shtoi se Vuçiç nuk e pranoi atë.

“Në këtë takim, theksova progresin e Kosovës dhe kërkova statusin e vendit kandidat dhe 5 shtetet që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë atë. Ofruam të nënshkruajmë marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit dhe idenë e vetëmenaxhimit të shndërruar në propozim. Nënshkrimi nënkupton pranim dhe pastaj zbatim. Serbia refuzoi nënshkrimin dhe draftin për menaxhim. Ne mirëpresim deklaratën e përbashkët të krerëve të BE-së, për thirrjen për njohjen de facto të Kosovës nga Serbia. Ne duam të ecim përpara”, tha Kurti.

Ai gjithashtu u shpreh se iu kërkoi liderëve të BE-së më shumë siguri në kufirin në veri me Serbinë dhe ekstradimin e Milan Radoiçiç dhe grupit të tij që organizuan sulmin në Banjskë.

“Qëndrimi i plotë i qeverisë është dhe ka qenë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të arritur në Ohër. Ne përshëndetëm planin e ri për të ecur përpara. Plani u soll nga 5 emisarët që u kërkuan më shumë për germën e Kushtetutës sesa për frymën. Më 26 tetor, zhvilluam një takim me krerët e BE-së. Në këtë takim kërkova më shumë siguri në kufi nga Serbia. Kërkova dhe ndëshkimin e Serbisë për sulmin terrorist, pasi në të kundërt mund të përsëritet. Kërkesën për sanksione e kemi për hir të mospërsëritjes. Ne nuk duam që një ngjarje e tillë të përsëritet. Në takim kërkova që Radoiçiçi dhe grupi i tij të ekstradohen nga Serbia në Kosovë, pasi sulmi ndodhi në territorin tonë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos