''Kushtetuesja të thotë fjalën e fundit'', Hovenier: Drafti për Asosciacionin, në përputhje me Kushtetutën

Nga Rosalba Bejdo
9 Nëntor 2023, 12:29 | Kosova

Draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe përmbush të gjitha kriteret që parashohin Shtetet e Bashkuara.

Garancia vjen nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili siguron se draft-statuti nuk parashikon kompetenca ekzekutive e as nivel shtesë të pushtetit.

Megjithatë, sipas tij, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë gjykata Kushtetuese.

“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere, dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

E gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, sipas Hovenier nuk duket me vend sepse është punuar me shumë me kujdes në hartimin e draftit. 

I pyetur se përse përmbajtja e tij nuk është bërë ende publike, diplomati amerikan sqaroi se nuk ka asgjë sekrete, dhe se këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.

Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian Francës, Gjermanisë dhe Italisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos