Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me partitë tjera që deri tani ishin në opozitë. Duke folur para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” Kurti tha se do të angazhohen për të zgjidhur çështjen e presidentit.
Në fjalimin e tij, Kurti tha se Kosovës i mungon funksionalizimi i Kuvendit, duke kritikuar partitë opozitare për bllokimin e procesit.
Ai u shpreh optimist se legjislatura e 11-të do të konstituohet pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, ndërsa paralajmëroi komunikim dhe bashkëpunim me të gjitha subjektet politike në javët e ardhshme.
“Republikës të Kosovës, i mungon Kuvendi. Fatkeqësisht blloku opozitar nuk shkon në punë. Ne tjerët të gjithë shkojmë n punë nesër në mëngjes, në 8:00. Dhe, ne jemi të interesuar që edhe blloku opozitar të shkojë sa më shpejtë në punë. Andaj, urojmë që legjislatura e 11-të t’ia fillojë dhe kjo varet para së gjithash nga certifikimi i rezultateve. Natyrisht, që në javët në vijim, do të komunikojmë, do t’i takojmë e do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politikë të Republikës të Kosovës, sepse ne e kemi para së gjithash e mbi të gjitha interesin publik, vullnetin e përgjithshëm dhe Republikën sovrane e të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me devotshmëri. Pra, llogaritni në neve, jo vetëm në punën që bëjmë por edhe në bashkëpunimin që do të bëjmë”, tha ai.
Kurti nga aty uroi qytetarëve fitoren. Sipas tij, të gjithë garojnë, shumica votojnë e LVV fiton. Kurti tha se nuk ka pasur vështirësi që si qeveri nuk e kanë tejkaluar, edhe atëherë kur është dukur e pamundur. Kurti ka deklaruar se kjo përbën konfirmim të një dekade qeverisjeje të Lëvizjes Vetëvendosje, duke falënderuar mbështetësit për angazhimin e tyre. Sipas tij, LVV do të vazhdojë të udhëheqë me qeverisje “të mirë dhe demokratike”.
“Urime edhe një fitore e radhës. Për më pak se 7 vite kjo është fitorja e pestë e LVV në zgjedhje parlamentare. Kemi fituar në vitin 2019, 2021, dy herë në 2025 dhe fituam përsëri në vitin 2026. Ky është edhe një konfirmim i radhës, që së paku kjo dekadë është e qeverisjes së LVV-së. Edhe në këto zgjedhjet e pesta për më pak se shtatë vite u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë. Ne i bëjmë bashkë sigurinë e shtetit e kufijve me mirëqenien e shtetit e qytetarëve. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar edhe atëherë kur është dukur e pamundur ne e kemi realizuar’, tha Kurti.
Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Deri më tani janë numëruar 99.40 përqind e kutive të votimit. Nga rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 297 mijë e 296 vota apo 42.92 përqind. Ndërkohë në zgjedhjet e 28 dhjetorit LVV kishte arritur 51 për qind. (A2 Televizion)