Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i quajti të pasinqerta dhe të kota reagimet e partive politike serbe në Kosovë dhe zyrtarëve në Serbi që dënuan aktin terrorist ndaj rrjetit të ujësjellësit në komunën e tij.
Ai tha se përpjekjet e Listës Serbe dhe të shtetit serb për të dëmtua Republikën e Kosovës nuk janë ndaluar për asnjë moment.
Në një intervistë për A2 CNN, Zeqiri tha se ka përpjekje për të ngritur tensionet në pjesën veriore.
“Janë faktet se ka përpjekje për të penguar gjithçka, për të sulmuar rendin kushteteus të Republikës së Kosovës. Adresa dihet, Serbia, shërbimet sekrete të Serbisë, duke i mbështetur këto grupe kriminale, këta individë terroristë edhe me financa, dhe me gjithë mekanizmin e saj shtetëror, normalisht për të dëmtuar rendin kushtetues në Republikën e Kosovës.”
Duke komentuar deklaratat që Serbia nuk është mbrapa sulmit si dhe reagimet e Listës Serbe dhetë partive të tjera politike serbe në Kosovë, Zeqiri shprehet se ato shërbejnë për të zhvendosur vëmendjen.
“Mua më duk se është një tendencë për të zhvendosur vëmendjen, po japin një deklaratë kot fare dhe natyrisht që mund të jenë deklarim të tilla por adresa është aty dhe nuk ka asnjë adresë tjetër sa i përket mendimit tim.”
Shpërthimi që ndodhi në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk e dëmtoi shumë komunën që drejtohet nga Zeqiri pasi ky kanal gjendet në dalje të komunës.
Megjithatë, kreu i Zubin Potokut e cilësoi një akt të rëndë terrorist dhe sipas tij falë ndërhyrjes së shpejtë arriti të shmanget edhe katastrofa.
“Pasojat kishin me qenë të mëdha, gati katastrofë humanitare, sepse vet ndalja e furnizimit me ujë ka pasoja të drejtpërdrejta tek të gjithë qytetarët, të gjitha familjet, sepse pa ujë shumë qytete vjen deri tek një krizë humanitare dhe këtu atakohet edhe rryma.”
Krerët e shtetit në Kosovë e bëjnë përgjegjës Serbinë për dëmtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian që të mbajë përgjegjës Beogradin. (A2 Televizion)