208 milionë euro për ushtrinë e Kosovës gjatë vitit 2025

Nga Tomorr Avdia
11 Nëntor 2024, 11:27 | Politikë

208 milionë euro për ushtrinë e Kosovës gjatë vitit

Qeveria e Kosovës ka parashikuar buxhetin për vitin 2025 në vlerën 3.6 miliardë euro, duke ndarë përqindjet për sektorë kyç të vendit. Drafti i prezantuar në Kuvend parashikon investime në arsim, bujqësi, mbrojtje, infrastrukturë, shëndetësi, por ka hasur në kundërshtime nga opozita.

Ndër sektorët më të financuar për vitin e ardhshëm është Ministria e Infrastrukturës, e cila do të marrë 7.2% të buxhetit total ose afërsisht 260 milionë euro. Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 217 milionë euro, do të shkojë për investime kapitale në infrastrukturë rrugore, përfshirë 21.5 milionë euro për autostrada, 29 milionë për rrugë të reja, dhe 2.3 milionë për ura. Për projekte të veçanta, si zgjerimi i magjistraleve Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Pejë, janë ndarë përkatësisht 9.65 milionë dhe 15 milionë euro.

Sektori i mbrojtjes do të ketë gjithashtu një rritje të ndjeshme në financim, duke marrë 5.8% të buxhetit ose 208 milionë euro, ku pjesa më e madhe, rreth 203 milionë, do të përdoret për ushtrinë, përfshirë investime në armatime dhe infrastrukturë.

Ndërkohë, arsimi dhe shëndetësia, dy prej sektorëve me rëndësi jetike, do të marrin përkatësisht 2.7% dhe 2.1% të buxhetit. Ministria e Arsimit ka një buxhet prej 99 milionë euro, ndërsa Shërbimi Spitalor Universitar do të marrë mbi 190 milionë euro, duke përfshirë edhe fondet për Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga buxheti total, rreth 25.4% ose 916.5 milionë euro janë planifikuar për paga dhe shtesa për sektorët publikë, përfshirë deputetët, ndërsa 25.8% ose 930 milionë euro janë të dedikuara për shpenzime kapitale.

Megjithëse projektbuxheti 738-faqësh është gati për votim, ende ka mosmarrëveshje midis qeverisë dhe opozitës mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos