9 muaj mungesë, Kurti takohet sot në Bruksel me Vuçiç

Nga A2 CNN
26 Qershor 2024, 07:12 | Politikë

9 muaj mungesë, Kurti takohet sot në Bruksel me Vuçiç

Pas një mungese 9 mujore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Raundi i ri i dialogut në nivel të lartë pritet të të fokusohet sërish te zbatimi i marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes dy vendeve.

Takimi ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiç u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, por nuk pati ndonjë përparim në bisedime, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Kryeministri Albin Kurti para takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se raundi i ri i dialogut në Bruksel do të shërbejë për të kuptuar se ku është ky proces pas tri viteve që e përfaqëson ai Kosovën.

Gjithashtu, kryeministri kërkoi që shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian të ndjekin sugjerimin e shefit të diplomacisë Josep Borrell dhe të heqin masat ndëshkuese që i janë vënë Kosovës për më shumë se një vit.

“Nga ana e Kosovës çdo gjë është kryer, zbatuar për normalizim për deeskalim prandaj e keni atë sugjerim të Borrell të cilin unë shpresoj e uroj që vendet anëtare, të cilat e kanë shef të politikës se jashtme ta dëgjojnë dhe ta respektojnë me sinqeritetin më të madh.”

Serbia, e cila nuk ka respektuar asnjë nga marrëveshjet me Kosovën, përmes kryeministrit të saj Millosh Vuçeviç një ditë para takimit tregoi gatishmëri për kompromise ku palët “humbasin në mënyrë të barabartë”.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje dhe kompromise, që nënkuptojnë se asnjëra palë të jetë fituese absolute apo humbëse absolute, por që Serbia dhe shqiptarët duhet të jetë të kënaqur më mënyrë të barabartë, apo thënë më mirë të pakënaqur në mënyrë të barabartë”, tha ai.

Ndërkohë, opozita në Kosovë nuk pret që takimi i së mërkurës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç të prodhojë ndonjë të re në dialog. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos