
Një ditë para se të përfundojë afati kushtetues për formim të qeverisë së re nga mandatari i Lëvizjes Vetëvendosje, për kryeministër, Albin Kurti, nuk ka sinjale për sigurimin e një shumice parlamentare në Kuvend. Edhe pse përfaqësuesit e koalicionit LVV-Alternativa dhe Partia Guxo, gjatë gjithë kohës thonin se i kanë votat për Qeverinë, sa më shumë ofrohej afati kushtetues, aq më pak jepnin shpresa vet ata.
Në Kuvendin e Kosovës të dielën e 26 tetorit në orën 10:00 është caktuar që të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
Seanca e jashtëzakonshme ka vetëm një pikë të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së ekzekutivit të ri kosovar.
Për zgjedhjen e Kurtit dhe kabinetit qeveritar që e prezanton para Kuvendit, nevojiten së paku 61 vota nga 120 deputetë të legjislativit.
Lëvizja Vetëvendosje e përjashtoi mundësinë e bisedimeve me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa e la derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por kjo e fundit e refuzoi. Derisa tani për tani - së paku publikisht - nuk ka informacione se një marrëveshje koalicioni është në horizont.
Analistët politikë dhe drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, thanë se koalicioni që mori më së shumti vota, nuk i ka votat për formimin e Qeverisë. Megjithatë, kjo mohohej çdoherë nga vet koalicioni që doli i pari, edhe pse për disa muaj nuk kishte votat për votimin e kryetarit të Kuvendit, por thoshte që i ka votat për Qeverinë.
Kurti më 10 maj para anëtarëve të këshillit të përgjithshëm të LVV-së, ishte shprehur se mund të bëjë kompromise për formimin e qeverisë.
Kurti gjatë muajit qershor thoshte se formimi i qeverisë është përgjegjësi e tyre, gjë që kur të vije koha do ta dëshmojnë veten.
Po në të njëjtin muaj, Albulena Haxhiu pati thënë se kur të vije puna për qeverinë ata do ta marrin përgjegjësinë, derisa thoshte se i kanë votat për qeverinë.
Kurti gjatë një interviste për mediat në muajit qershor, ishte shprehur i bindur se i kanë votat për formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, shpesh ndodhi që gjatë kësaj kohe ai është pyetur nga mediat, por nuk komentonte çështjen e votave për Qeverinë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, të mbajtur në fillim të shtatorit, mori besimin e kësaj parti si i nominuar për kryeministër.
Aty ai është shprehur i bindur se do ta formojnë qeverinë e re.
I bindur që do ta formojnë qeverinë e re gjatë kohës së fushatës për zgjedhjet lokale, ishte edhe kandidati i LVV-së për Prishtinën, Hajrullah Çeku.
Kurti edhe më 8 tetor thoshte se do ta zgjedhin qeverinë e re.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës që ndodhi 10 tetor, presidentja e vendit, Vjosa Osmani mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për formimin e qeverisë së re.
E një ditë pas zgjedhjeve lokale, më 13 tetor, Kurti në një konferencë për medie, tha se në momentin kur bisedimet për formim të qeverisë së re, do të rezultojnë të suksesshme, do ta thërras seancën për votimin e qeverisë.
“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar në analizën gjithpërfshirëse dhe hollësishme të rezultatit të zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh këtë javë do të fillojmë edhe bisedat për qeverinë qendrore...Duhet të kemi një mandat të rregullt i cili padyshim që do të fillojë posa ta nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, tha Kurti, derisa shtoi se nëse nuk ka qeveri Kurti 3, janë të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare.
Sa më shumë ofrohej koha kur Kurti do të duhej t’i siguronte votat, aq më shumë shtohej mëdyshja që koalicioni LVV-Alternativa dhe Partia Guxo, nuk i kanë votat edhe nga vet përfaqësues të këtij koalicioni.
Zgjedhjet e reja parlamentare janë të domosdoshme, pati thëtë për KosovaPress, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Sipas saj, paraprakisht, duhet të arrihet një marrëveshje politike në Kuvend për formimin e një qeverie të përkohshme me agjendë vetëm legjislative, në mënyrë që të miratohet projektbuxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën.
“Edhe nëse ne i rikthejmë ose ka ndonjë shans të ri, hipotetikisht, në negociata me Nismën, prapë nuk janë 61 vota. Do të thotë, prapë ne do të kemi në njëfarë forme ndjeshmëri të lartë karshi funksionimit të mirëfilltë, për shkak se me gjashtëdhjetë e një, pastaj secili deputet do të bëhet, ose deputete do të jetë, të themi, çelësi i suksesit ose dështimit të secilës seancë”, tha ajo.
E derisa ditët ofroheshin edhe vet Kurti më 21 tetor, nisi t’i tregojë vështirësitë që ka për sigurimin e numrave. Ai gjatë një tubimi me diasporën shqiptare në Londër ka folur hapur për krijimin e qeverisë së re, por tanimë
Përndryshe, ai as sot nuk ka dashur të flas nëse i ka numrat për seancën e nesërme të jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t'i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe - në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.
Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.
Gjithashtu, nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pranon ankesën e Listës Serbe si të bazuar, në praktikë kjo do të thoshte se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar.
Kjo do ta bënte të pamundur ndërmarrjen e ndonjë hapi drejt formimit të Qeverisë dhe institucioneve të reja.
Më herët, Kushtetuesja ka vendosur në favor të Listës Serbe se Kuvendi nuk është konstituuar pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb. Kosovapress (A2 Televizion)
