Abdixhiku pro vendimit të Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, gati të nisë konsultimet

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 09:55 | Politikë

Abdixhiku pro vendimit të Vjosa Osmanit për shpërndarjen e

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku nëpërmjet një statusi të tij në Facebook, mbështeti vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, për shpërndarjen e Kuvendit pas mos-arritjes së një konsensusi të palëve politike për zgjedhjen e presidentit. Kjo i hapi rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë dhe sipas Abdixhikut, ky dekret pritej të ndodhte.

“Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit. LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës. Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla”, tha Abdixhiku, përcjell A2 CNN.

“Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike. Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos