Aksioni i PSD, Molliqaj: Veprimet e Kurtit po çojnë drejt autonomisë së veriut

Nga Ideal Gola
19 Shtator 2024, 20:07 | Politikë

Partia Socialdemokrate mbajti një aksion të enjten tek ura e Ibrit duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se me veprimet e tij po çon në autonomi për veriun dhe izolim ndërkombëtar për vendin.

Partia Socialdemokrate konsideron se veprimet në veri janë katalizator i autonomisë substanciale atje, ose i izolimit të plotë të Kosovës. Sipas tyre, ky udhëkryq është rezultati i gati 4 viteve qeverisje të Albin Kurtit.

Përmes një aksioni te ura e Ibrit në pjesën jugore, PSD prezantoi, sipas tyre, rrugën e Kurtit që është e dëmshme për Republikën e Kosovës.

“Çdo veprim që po e shihni të Kosovës, qoftë edhe të suksesshëm, që janë targat e letërnjoftimet, vetëm sa e kanë trashur nivelin e autonomisë që na e ka propozuar bashkësia ndërkombëtare, nuk na kanë zvogëluar”, u shpreh kryetar i PSD-së Dardan Molliqaj, raporton A2.

PSD tha se janë për një rrugë tjetër në lidhej me integrimin e veriut duke propozuar një marrëveshje paqeje me ripërcaktim të kufijve. Sipas tyre, kontrolli aktual në veri është i përkohshëm dhe i paqëndrueshëm.

Në lidhje me hapjen e urës, Molliqaj deklaroi tashmë është dëshmuar se për këtë çështje vendimin e marrin ndërkombëtarët.

“Kushdo që në Kosovë ka guxuar të thotë se ura duhet të hapet në koordinim, këta (LVV) e kanë cilësuar bashkëpunëtor të Vuçiçit. Sipas kritereve të tyre, kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla janë bashkëpunëtorë të Vuçiçit, por jo sipas kritereve tona. Ne besojmë se ky është diskutim i kot. Mund të hapet ura dhe mund të mos hapet, vendimin për këtë e kemi të qartë, sovranitetin në Kosovë na ka treguar kush e ka, atë e ka KFOR-i përmes QUINT-it dhe rezolutës 1244”, tha A2 Molliqaj, raporton A2.

Aksioni i PSD-së kaloi pa incidente pavarësisht numrit të shtuar të pjesëtarëve të policisë dhe reagimit të disa qytetarëve që ishin kundër qëndrimeve të PSD-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos