Aksioni në Prishtinë, PSD kundër Osmanit: Në LDK si Kali i Trojës

Nga Ideal Gola
12 Maj 2026, 15:12 | Politikë

Partia Socialdemokrate përmes një aksioni në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë e konsideroi kthimin e ish-presidentes Vjosa Osmani në LDK si kalë Troje për shkatërrimin e partisë.

Nga ky subjekt politik thanë se nuk po ndodhë bashkimi i së djathtës por vetëm bashkimi i Osmanit dhe Abdixhikut për pushtet.

“Vjosa Osmani si Kali i Trojës në LDK, i cili e dini çka ka ndodh kur ka hy ky kali në Trojë. Troja është shkatërruar e ky është rreziku që i kanoset kësaj partie”, tha Dardan Molliqaj nga PSD.

PSD tha se kjo nismë e Osmanit dhe Abdixhikut është kundër demokracisë dhe po dëmton kampin opozitar, duke ftuar votuesin e LDK-së të zgjedhin ata më 7 qershor.

“Më së pari është manipulim, s'u kthye në LDK. E dyta po kthehet për pushtet. E treta s'ka bashkim se më shumë u ndanë se u bashkuan. Edhe e katërta, këta u bënë bashkë veç për pozita. Qysh është e mundshme vëlla, del njeriu, e kanë pas kandidat për kryeministër, e kanë bë kryetar të Kuvendit, ndahet prej partisë, kthehet në parti, bëhet pjesë e listës kandidat për president? Po kjo nuk do as diskutim”, u shpreh Dardan Molliqaj nga PSD.

PSD iu përgjigj kritikave të partive opozitare të cilët thanë se ish-bashkëpunëtorët e ngushtë të Kurtit po ndihmojnë Lëvizjen Vetëvendosje duke i kritikuar vetëm ato.

Sipas Molliqajt, partitë opozitare i kanë braktisur votuesit e tyre me qëndrimet që kanë mbajtur gjatë kësaj kohe.

“Këta të opozitës po merren qysh na po e kritikojmë opozitën e s'po e kritikojmë pushtetin, e çka janë t’u bë ata? Ata janë t’u u përla mes vete, i keni parë grupet e interesit, kush është numër dy, kush është numër tre. Dhe mos harroni, LDK-ja po e shan PDK-në, PDK-ja po e shan LDK-në, AAK-ja po i shan të dyja. Ata problemin nuk e kanë pse na po i kritikojmë. Problemi thelbësor është këtu: kritika jonë është e qëndrueshme”, tha Dardan Molliqaj nga PSD.

PSD do të rikthehet në garë zgjedhore për herë të parë nga viti 2019. Ata kanë prezantuar vetëm 6 kandidatë për deputetë duke premtuar se do të jenë opozita e vërtetë në Kuvend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos