Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë: I shqetësuar me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 14:23 | Politikë

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë: I shqetësuar me

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se ia ka shprehur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shqetësimin e tij në rritje me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e saj, për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postin e kryetarit të Kuvendit.

Në një reagim në rrjetin social Bluesky, Rohde tha se partitë politike në Kosovë duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe duhet t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.

“Në peizazhin e sotëm global që po ndryshon me shpejtësi, veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe çështjet shtetërore duhet gjithmonë të vihet para politikave partiake”, shkroi Rohde.

Konstituimi i Kuvendit - i nisur më 15 prill - ka dështuar tetë herë radhazi deri tani, për shkak se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu deri tani i ka marrë 57 vota më së shumti.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si "figurë përçarëse", derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse.

Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t'i formojë shpejt institucionet e reja./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos