"Nuk ka BE pa normalizim me Serbinë", Europa, presion Kosovës për formimin e qeverisë

Nga Erjon Dervishi
29 Prill 2025, 17:08 | Politikë

Kosova duhet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë në të kundërt nuk do të mund të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Këtë fakt e ka bërë të ditur Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme e Kosovës të plotësojë disa parakushte “që duhet të pëmbushen”, pa përmendur se cilat janë ato.

"Ne po presim për formimin e qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë shumë të favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit. Nuk kam marrë asnjë sinjal nga shtetet anëtare ose nga presidenca daneze e Këshillit Evropian se marrja e statusit gjatë presidencës daneze mund të ndodhë. Por, mendoj se do të ishte shumë mirë të nisim”, tha Marta Kos, Komisionere e BE për Zgjerim.

Për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, BE-ja, më 2023, vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe. Me gjithë kërkesat e liderëve të Kosovës për heqjen e këtyre masave, Kos theksoi se aktualisht jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme për heqjen e masave në këtë fazë.

“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, shtoi Kos.

Duke folur për Serbinë, vendin që ajo do ta vizitojë këtë javë, Kos tha se “Serbia duhet vërtet të japë rezultate”.

“Fjalët nuk mjaftojnë. E shoh misionin tim ose vizitën time atje si një përpjekje të madhe për ta rikthyer Serbinë në rrugën evropiane”, tha Kos.

Ajo shtoi se kërkesat e protestuesve, të cilët po protestojnë prej muajsh në Serbi - pas vdekjes së 16 personave nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad - janë të njëjta me ato të Komisionit Evropian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos