“Asociacioni, obligim ndërkombëtar”, Rashiç: Kuvendi “panserb” vetëm për konsum të brendshëm

Nga A2 CNN
17 Qershor 2024, 14:57 | Politikë

Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, është i gatshëm të përfshihet në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për KosovaPress, tha se kurdo që qeveria kosovare të nisë hartimin e një drafti për Asociacionin në bashkëpunim me serbët lokal në Kosovë, do të japë kontributin e tij. Sipas tij, themelimi i Asociacionit është një obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe se si i tillë duhet të bëhet.

“Konsideroj se Asociacioni, pasi që është një marrëveshje ose obligim që është marrë me vite, rikujtoj se marrëveshjet ndërkombëtare kanë një fuqi më të lartë se ligjet lokale dhe normale se obligimet duhet të respektohen. Unë inkurajoj jo vetëm kryeministrin, por edhe nivelin teknik se sa i përket formimit të Asociacionit nuk do të ketë shkelje të Kushtetutës apo ligjeve. Është ai elementi aty që garanton se nuk mund të ndodhë një gjë e tillë. Ka qenë pika e dytë mos gabohesha e marrëveshjes së vitit 2015, ku thuhet se kjo marrëveshje së pari duhet të kalohet përmes Kushtetutës apo ligjeve të Kosovës. Bazuar në këtë, kjo e siguron një themel të besueshëm që një gjë e tillë sikur shkelje apo manipulimi brenda ligjeve nuk duhet të ndodhë”, tha Rashiç.

Ai deklaron se institucionet në Kosovë s’duhet të kenë frikë për një bosnjëzim të Kosovës pas themelimit të Asociacionit, pasi Gjykata Kushtetuese mund ta pastrojë atë nga elementet jokushtetues. Megjithatë, ai shton se drafti i Asociacionit i prezantuar nga Bashkimi Evropian ka disa gjëra të cilat për të janë ta paqarta: “Pasi s’kemi draftin tjetër edhe pse unë e lexova draftin, por të them të vërtetën shumë sene nuk kam bash të qarta. E di se për draftin mund të them se është një formë gjithëpërfshirëse dhe nuk është hy në detaje. Në momentin kur bëhet prezantimi i draftit qoftë të dërgohet në Kushtetuese apo të dërgohet për verifikim në Komisionin e Venecias, unë do të kisha pasur pyetje, sepse nuk e kam të qarta. Mirëpo nuk është pyetje a do të pajtohem unë apo jo, pasi kemi profesionistë të cilët e vërtetojnë saktë a është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Unë vet do të përpiqet që të inkorporoj ndoshta disa ide të mira por përndryshe unë nuk kam aspak frikë se mund të ndodh një bosnjëzim, sikurse që thuhet sepse prapë institucionet janë këtu dhe veprojnë. Në fund të fundit nga ai vlerësim që do të ndodhte nuk do të kishte prishur rendin dhe kushtetushmërinë”.

Për sa i përket të ashtuquajturit “Kuvend panserb”, ku udhëheqës të Serbisë dhe të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, bënë thirrje për unitetin e serbëve në të gjithë rajonin, Rashiç tha se ato janë deklarata boshe dhe vetëm për përdorim të brendshëm. Sipas tij, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryetari i serbëve në Bosnje, Milorad Dodik e kanë mbledhur këtë kuvend për interesa personale dhe se konkluzionet e dala nga kjo mbledhje s’kanë asnjë peshë në aspektin evropian dhe regjional.

“Mos i konsideroni ato deklarata ju lutem, sepse ato janë për përdorim të brendshëm. Ju duhet të kuptoni se ata dy persona (Vuçiç dhe Dodik) që kanë qenë udhëheqësit e ngjarjes çdo fjalë që e bëjnë e kanë për interesa të veta dhe për përdorim të brendshëm. S’ka asnjë peshë në aspektin evropian dhe as regjional. Janë vetëm fjalë të zbrazura”, përfundon Rashiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos