Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri thotë se kryeministri Albin Kurti ka pranuar krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, por për shkak të zgjedhjeve nuk po e themelon. Ai akuzon kreun qeveritar se tentoi të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme më 7 korrik për qëllime të tij politike.
“Qeveria e ka pranuar Asociacionin. Arsyeja që s’po e bën asociacionin janë zgjedhjet. Janë munduar të na dërgojnë në zgjedhje tash më 7 korrik, me përdorë ai policinë dhe ushtrinë, ndoshta kishte qitur në rrugë edhe automjetet për të shitur patriotizëm. Të tregojë përralla - ai nuk ka qenë pjesë. Kush e ka bërë Ushtrinë e Kosovës? Është UÇK-ja, transformimi në TMK dhe FSK dhe në fund tri ligjet që ia kanë dhënë të drejtën ushtrisë të bëhet pjesë e NATO-s. Këtë e ka bërë Qeveria e Ramush Haradinajt”, tha Tahiri.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Tahiri, në intervistën për Kosovapress e konsideron të domosdoshme që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasje pas zgjedhjeve të strukturave të reja në shtator.
“Pres që qasja në dialog të jetë ndryshe. Ajo që unë mendoj se duhet të ndryshojë është se procesi i dialogut të mos jetë një “shou” i një njeriu, por të jetë një ekip që do të ndihmojë arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke si synim politik që kemi. Ekipi negociues të jetë i qëndrueshëm dhe të përcaktojë disa data dhe afate. Ne jemi një kohë të gjatë në dialog dhe ky dialog e ka ngulfatur debatin për tema të tjera”, tha Tahiri.
Për sa i përket deklaratës të dalë nga i ashtuquajturi kuvend panserb, Tahiri thotë se iniciativa dëshmon logjikën Millosheviqiane të presidentit aktual Aleksandër Vuçiç.
“Ajo është vetëm një deklaratë në letër. S’ka asnjë ndikim në Kosovë. Në fakt e ndihmon Kosovën pasi vetëm tregon logjikën e Serbisë e cila është logjikë e Millosheviqit. Është logjikë e një politike gjenocidiale me ëndrra të shekujve të kaluar...Ajo deklaratë dhe ai kuvend është një paradë që lidhet me politikën e brendshme, politikë ne nacionaliste që e ka në Serbi. Ne jemi të pavarur dhe këto janë deklarata që nuk qojnë peshë. E them me përgjegjësi të plotë as nuk pres ndonjëherë dhe as s’ka guxim dhe interes që të ndodh diçka që quhet luftë”, thekson Tahiri.
Në anën tjetër, duke folur për mundësitë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë, ai thotë se s’ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë, pasi sipas tij, Kurti duhet të përfundojë mandatin në tërësi.
“Jo nuk ka. Në tendencën e Kurtit për të shkuar në zgjedhje në këtë kohë kur e kishte shumë politikën populiste ai dështoi. Tani ka qëndrim të saktë në opozitë, PDK-ja e ka konsideruar si të konsumuar procesin e shpërndarjes së Kuvendit. Qëndrimi i Aleancës ka qenë që kjo qeveri është dashur të ndodh moti në shtëpi përmes mocionin të mosbesimit që nuk gjeti përkrahje. LDK-ja e ka dorëheqjen si opsion, mirëpo Kurti nuk jep dorëheqje. Dorëheqja e Kurtit do të ishte jo vetëm dështim dhe nënshtrim por dorëzim në politikë, kështu që nuk e bënë ai këtë”, tha Tahiri.
Ai shton se AAK-ja është e hapur për një bashkëpunim me LDK-në pas zgjedhjeve dhe shpreh bindjen se opozita do të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. (A2 Televizion)