Mes debateve që ka shkaktuar deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christofer Hill, se njohja e Kosovës nuk është kusht për Serbinë, Gjermania rithekson qëndrimin se dialogu mes dy vendeve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
“Sa për ta rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Serbi në qershor 2022, për normalizimin, përfshirë njohjen dypalëshe. Kjo është ende e vlefshme. Rruga për Kosovën dhe Serbinë kalon përmes zbatimit “të menjëhershëm” të marrëveshjeve të arritura më 2023 për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.”, u shpreh ambasadori gjerman Jorn Rohde në një postim në rrjetin social X. (A2 Televizion)