Basha distancohet sërish nga artikulli kundër UÇK-së

Nga A2 CNN
28 Gusht 2025, 16:44 | Politikë

Basha distancohet sërish nga artikulli kundër UÇK-së

Kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ka distancuar sërish veten nga një artikull që flet për ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në punimin ku ai është bashkautor, thuhet se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Basha tha se “distancohem nga të gjithë ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere”.

“Dua të deklaroj me përgjegjësinë më të madhe qytetare dhe kombëtare që kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me vlerën e shenjtë të popullit tonë”, tha Basha.

Një ditë më parë, ai kishte thënë në Facebook se kontributi i tij në këtë punim ishte vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.

Edhe bashkautorja e këtij punimi, Jana Arsovska, ka mbështetur pohimin e Bashës.

“Thënë shkurt, zoti Basha ka kontribuar vetëm në këtë kapitull, që hulumton përhapjen e islamit radikal në Evropën Juglindore, me fokus të veçantë në Kosovë”, ka thënë ajo për mediat në Kosovë.

Për çfarë punimi bëhet fjalë?
Në punimin me titullin: “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”, thuhej se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Në punimin e publikuar më 2012 thuhet se përveç se UÇK-ja është “financuar nga trafikantët e drogës”, mbështetja nuk përfshinte vetëm para.

“Por, trafikantët e drogës dërguan persona të armatosur për të luftuar së bashku me UÇK-në dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.

“Teksa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë për t’u matur, ekzistojnë raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqishëm një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, u tha në këtë punim.

Sipas punimit, në Belgjikë bosi i “të ashtuquajturës mafi shqiptare la fishekë para dyerve të anëtarëve të diasporës shqiptare si kujtesë se taksat ‘vullnetare’ që ata kishin paguar për mbështetjen e Qeverisë në hije dhe UÇK-në, në të vërtetë nuk ishin ‘vullnetare’”.

Punimi pretendon se mbijetesa e UÇK-së “varej nga financimi që ofronin banditët patriotë, që operonin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare u dërgoheshin organizatave humanitare sikurse Vendlindja Thërret”.

Në punim, lufta në Kosovë më 1998-99 vlerësohet si “konflikt etnik”, teksa aty pretendohet se agjencitë perëndimore të inteligjencës “shpesh mbyllën sytë ndaj bashkëpunimit mes krimit dhe politikës në Kosovë".

“Që nga fillimi i viteve 1990, shumë ishin të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës. Pas konfliktit, UÇK-ja vetë u shpërbë formalisht, megjithatë shumë ish-komandantë të UÇK-së u përfshin në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi”, thuhet në këtë punim.

Cilat ishin reagimet?
Organizata e Veteranëve të UÇK-së shprehu “indinjatë për zgjedhjen e Bashës në krye të Kuvendit”.

“Ky person njihet për qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën më të madhe të popullit tonë. Është e papranueshme dhe e pafalshme që Kuvendi i Kosovës të drejtohet nga një njeri që ka fyer dhe sulmuar UÇK-në dhe dëshmorët tanë”, tha OVL e UÇK-së.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tha se “turpi i mbetet Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, të cilët me insistim e kandiduan Dimal Bashën. Por, një gjë po vërtetohet edhe tash, siç e kishim thënë në dy herët e kandidimit të tij - ai nuk është i denjë që të jetë Kryetar i Kuvendit”.

"Sa për PDK-në, partinë që e pasoi UÇK-në, pavarësisht gjithçkaje e çdo zhurme, do ta mbrojmë me çdo kusht, si çdo herë tjetër, luftën e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës", u shpreh Krasniqi.

Ai ka akuzuar LVV-në për qëndrime të vazhdueshme kundër UÇK-së.

Ky shkrim ka nxitur edhe reagimin e kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

"Më vjen keq, shumë më vjen keq, që një shqiptar, për ta publikuar një shkrim, një punim shkencor, vetëm për ta publikuar, për ta mundësuar publikimin e një punimi shkencor, ka fyer, ka ofenduar, ka rrënuar, ka shtrembëruar, ka akuzuar vendin e vet, kombin e vet, për ta botuar një artikull gjoja shkencor, për t'i shërbyer atij vetë personalisht", ka thënë Limaj para gazetarëve, të enjten.

"Kjo është shumë serioze", është shprehur Limaj.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka kërkuar largimin e kryeparlamentarit Dimal Basha nga posti që mori dy ditë më parë.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos