Biseda me Kurtin e Vuçiç, sulmi terrorist mund të ketë përshpejtuar takimet e Kallas

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2024, 20:12 | Politikë

Shefja e re e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, priti në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. 

Për njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë, sulmi i fundit terrorist në Zubin Potok mund të ketë përshpejtuar këto takime por edhe për të dhënë mesazhin që Ballkani Perëndimor do të jetë në vëmendjen e saj.

“Një thirrje kaq e menjëhershme është një mesazh se zonja Kallas do të ketë prioritet çështjen e Kosovës dhe me gjasë edhe të Serbisë pra fokusi në dialog dhe në ngritjen e çështjeve të hapura që kanë mbetur siç janë marrëveshjet”, shprehet analisti Fitim Mulolli.

“Në një formë ose një tjetër ky sulmi që ka ndodhur së fundmi në Ibër Lepenc në veriun e Kosovës nënkupton që veriu dhe kjo pjesë e Ballkanit Perëndimor paraqet potencial të rrezikut për destabilitet dhe natyrisht që shefja e re diplomacisë ka pasur parasysh këtë fakt në kuptimin që ti ul palët”, shprehet Arbnor Sadiku.

Prej kohësh një tjetër kërkesë e Kosovës mbetet edhe largimi i masave ndëshkuese që ishin vendosur në qershor të vitit 2023 për tensionet në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Ardhja e Kallas, përkundër pritshmërive në Prishtinë, nuk pritet të përshpejtojë largimin e tyre për shkak të hezitimeve nga disa vende anëtare.

“Disa vende përpos tyre që s’e kanë njohur Kosovën që kanë qëndirme jo të balancuara në raport me Kosovën ka edhe vende si Franca apo Hungaria që i kanë mëdyshjet e tyre ne raport me heqjen e masës prandaj është dashur Kosova atëherë kur i ka prishur raportet me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare t’i studiojë këto gjëra”, shton Sadiku.

“Masat që i vendosi Bashkimi Europian me kalimin e kohës u lidhen kryesisht me progresin drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pavarësisht hapave të tjerë që ka bërë qeveria nuk janë shumë por disa, prapë se prapë nuk ka pasur ndonjë indikacion të heqjes së masave aq shpejtë”, deklaroi Mulolli për A2.

E rëndësishme nga njoftimi për takimet me Kurtin dhe Vuçiçin i shefes së re të politikës së jashtme të BE-së, Kallas u vlerësua të jetë edhe kategorizimi si “akt terrorist” i sulmit në Zubin Potok.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos