As e teta nuk rezultoi e vërteta. Kuvendi i Kosovës dështoi në përmbylljen e seancës konstituive. Ngërçi vazhdon që të jetë tek emri i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, që jo vetëm nuk mori votat e nevojshme, por i humbi partisë edhe mbështetje. Vetëm 54 deputetë votuan pro saj, ndërsa herën e kaluar kjo shifër ishte 57, sërish pa kaluar pragun e nevojshëm.
Hekuran Murati nga Vetëvendosje pretendon se ka shenja nga opozita se mund të dalë nga bllokada politike, pasi sipas tij ka deputetë të partive të tjera që dëshirojnë të votojnë pro zonjës Haxhiu, por që nuk po lejohen.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, tha se demokracia funksionon me shumicë dhe jo me imponim.
Shefja e grupit të LDK-së, Hykmete Bajrami, atë që ndodh çdo 48 orë e konsideroi një cirk politik.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kundërshtuan idenë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të enjten në orën 10:00. (A2 Televizion)