Lista Serbe ka reaguar për hapjen e zyrave postare në Leposaviç dhe Zveçan, duke akuzuar kryeministrin në detyrë Kurti, për provokim dhe tentativë për promovim personal në prag të “mbarimit të mandatit të tij”.
“Në pamundësi për të zgjedhur kryeparlamentarin, ish-kryeministri dhe deputeti aktual Albin Kurti erdhi sot për të provokuar në Leposaviç dhe Zveçan duke hapur një postë që nuk i shërben gjë tjetër veçse promovimit të tij”, thuhet në deklaratë, shkruan A2.
"Meqenëse nuk mund të bëhet kryeministër sepse nuk i ka votat për këtë, Kurti ka vendosur të bëhet postier në komunat serbe të Zveçanit dhe Leposaviçit. Kurti dëshiron ta shërojë zhgënjimin e tij për mungesën e votave në Parlament me serbofobinë e shtuar dhe vizitën e sotme në Leposaviç dhe Zveçan”, vijon deklarata e Listës Serbe.
Partia më e madhe politike e serbëve në veri shton më tej se mandati i Kurtit po përfundon, dhe se vizita e sotme duhet parë si raundi i fundit i furisë së tërbuar. (A2 Televizion)