VV i rrjedhin votat, Albulena Haxhiu merr 3 vota më pak

Nga Tomorr Avdia
29 Prill 2025, 11:22 | Politikë

VV i rrjedhin votat, Albulena Haxhiu merr 3 vota më pak

Për të tetën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta konstituojë legjislaturën e re. Kandidatja e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme.

Në votimin e zhvilluar, 54 deputetë votuan në favor të Albulena Haxhiu, 44 ishin kundër dhe tre abstenuan, duke mos arritur kështu pragun e 61 votave të nevojshme.

Kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të enjten në orën 10:00. 

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.

Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kandidatja e kësaj partie për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, në vazhdimet paraprake të seancës konstituive nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme.

Ajo ka marrë vetëm 57 vota për apo katër më pak sesa kërkohen që të zgjidhet në këtë post. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos