Ka dështuar për herë të tetë seanca konstituive e Kuvendit të ri të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e muajit shkurt.
Albulena Haxhiu, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme prej 61 votash në Parlament, për t’u zgjedhur në krye të këtij institucioni, shkruan A2 CNN.
Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës u la në 1 maj të këtij viti. Mbetet për t’u parë nëse Kurti do të sigurojë votat e nevojshme në këtë datë, për zgjedhjen e Haxhiut në krye të Kuvendit.
Këtë herë Haxhiu mori 54 vota pro, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë, por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës, miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve, por kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ. (A2 Televizion)