Gjykata Themelore e Prishtinës ka pranuar kërkesë nga Prokuroria Speciale që ta urdhërojë kryeministrin Albin Kurti të paraqitet për të dhënë dëshminë në lidhje me rastin e njohur si rezervat shtërore, pasi paraprakisht ka refuzuar ftesat e mëparshme.
Kurti ka qenë i hapur të japë dëshminë vetëm në zyrën e tij në ndërtesën e Qeverisë, pasi akuzoi prokurorinë se “po bëjnë skenare për filma” me të duke hyrë në objektin e prokurorisë.
Gjykata Themelore e Prishtinës është duke shqyrtuar kërkesën e prokurorisë para se të marrë një vendim si duhet të veprohet.
Avokati Valdet Hoxha shprehet për A2: “Natyrisht që mosparaqitja e kryeministrit Kurti për të dëshmuar me ftesë para Prokurorisë Speciale e cenon dhe lëndon ndjeshëm besimin dhe perceptimin publik në funksionimin e institucioneve të drejtësisë”.
Analistja Magbule Shkodra theksoi: “Nuk e kuptoj pse duhet të bëhet gjithë kjo dramë e panevojshme dhe në vend se vetëm të shkojë në mënyrë që t'ju ndihmojë hetuesve është të japë edhe dëshminë e tij, në mënyrë që ata të vazhdojnë më tutje me procedimin e rastit”.
Pas kërkesës së prokurorit të shtetit drejtuar gjykatës për detyrim ndaj kryeministrit që të paraqitet për të dëshmuar në prokurori mund të pasojë gjoba prej rreth 250 eurosh në secilën herë që ai nuk i përgjigjet thirrjes.
Ndërsa në rastin më ekstrem, Kurti mund të burgoset derisa bëhet e panevojshme dëshmia e tij apo derisa përfundon rasti, por në maksimum deri në një muaj burgim.
Megjithëse arrestimi i kryeministrit është ligjërisht dhe në teori opsion i mundshëm, kjo nuk pritet të ndodhë. Avokati Valdet Hoxha shpjegon: “Nuk besoj që mund të shkojë deri këtu situata. Jam i bindur që kryeministri Kurti do të duhej të respektonte thirrjen dhe në radhë të parë të respektonte institucionet e rendit, prandaj kjo është procedura që aplikohet me shpresën që nuk do të duhej të materializohej sepse do ta cenonte rëndë funksionimin e një shteti ligjor”.
Për njohësit politikë, Kurti nuk ka arsye të mos i përgjigjet prokurorisë, pasi edhe procesi zgjedhor tashmë ka përfunduar.
“Në fillim kur nuk shkoi mendova se e ka për fushatë, nuk dëshiron të paraqitet, por tani, kanë përfunduar zgjedhjet, rezultatet janë para përfundimit të nuëmrimit dhe plotësisht nuk e arsyetoj veprimin e tij. Ai duhet të shkojë, duhet të jap shembull”, shprehet Shkodra.
Në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, ku pretendohet se një sasi vaji e blerë në Poloni dhe një sasi gruri e blerë në Turqi nuk kishin arritur kurrë, janë arrestuar dy zyrtare të Ministrisë së Industrisë dhe një afarist. Ndërsa edhe ministrja Rozeta Hajdari ishte ftuar për intervistim si e dyshuar. (A2 Televizion)