Dështon seanca e 20-të në Kosovë, Konjufca dhe Limaj kandidatët e propozuar nga opozita

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 17:39 | Politikë

Kriza politike në Kosovë nuk është mund të zgjidhet pas përpjekjes së 20 për të konstituuar kuvendin.

Tentativa e radhës e Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit nuk mori mbështetjen e partive të tjera politike. Pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë të kryetarit të kuvendit votuan 53 deputetë, dhe një votë kundër dhe asnjë abstenim. Në seancë ishin të pranishëm 111 deputetë.

“53 deputetë kanë votuar për, kundër asnjë, asnjë abstenim, atëherë shihemi me 25 maj në ora 11:00”, tha Dehari.

As thirrja e kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila vizitoi Prishtinën për herë të parë, të enjten, që partitë parlamentare të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend, nuk solli ndryshim.

Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një kandidat unifikues për kryetar të Kuvendit. Një ndër ta, Haradinaj tha se është edhe deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca.

Ndërkohë, sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti se po mban peng Kosovën. Deputetja tha se si parti kanë ofruar alternativat për zgjidhjen e ngërçit politik, mirëpo për shkak të kryeneçësisë së Kurtit nuk po tejkalohet situata.

Sakaq, Kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla, në reagimin e saj tha se kriza aktuale politike në Kosovë është e papranueshme dhe duhet gjetur zgjidhje e menjëhershme. Ajo akuzoi partitë që deri tani ishin në opozitë se po bllokojnë konstituimin e Kuvendit.

Në përfundim të seancës, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku konfirmoi për mediat se kreu i Nismës, Fatmir Limaj është propozuar për postin e Kryetarit të Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos