PDK thotë se nuk u fol për politikë, basketbolli dhe flija bashkojnë Kurtin me Hamzën

Nga Xhevahir Qardaku
22 Maj 2025, 20:17 | Politikë

Atë që se bën dot parlamenti, po e bën sporti dhe ushqimi. Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës janë parë në shoqëri të njëri-tjetrit dhe duke biseduar teksa ndoqën finalen e basketbollit mes Trepçës dhe ekipit Bashkimi. Dy politikanët, kandidatë për kryeministër në zgjedhjet e shkurtit, u panë afër edhe duke konsumuar ushqimin tradicional, Fli, ndërsa thuajse gjithë kohës ishin të buzëqeshur. Pas reagimeve të shumta, PDK, përmes deputetit Përparim Gruda, ka dhënë sqarime lidhur me atë zhvillim, shkruan A2 CNN.

“Ky takim rasti nuk ka asnjë konotacion politik, asnjë përmbajtje politike është thjesht një event sportiv në të cilin zotëri Hamza ka qenë nikoqir si kryetar i Komunës së Mitrovicës për të marrë pjesë në ndeshjen në të cilën Trepça do të shpallej kampion i Kosovës. Ky ka qenë një event tërësisht sportiv pa asnjë përmbajtje politike, Hamza si nikoqir i ngjarjes i ka rënë të ulet afër Kurtit sepse ashtu e do protokolli”, tha Përparim Gruda, deputet, PDK.

Ai u pyet dhe lidhur me qëndrimin e PDK sa i përket votimit apo kundërshtimit të kandidates së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare kuvendi, duke dhënë këtë përgjigje:

“Qëndrimi është i njëjtë nuk ka ndryshuar, nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar qëndrimi. Ne jemi korrekt politikisht, sepse votojmë një kandidat tjetër. Dhe jemi në respektim të kushtetutës dhe rregullores së punës të kuvendi”, tha deputeti.

Partia Demokratike e Kosovës adresoi dhe shqetësimin e ngritur për proces të padrejtë nga Gjykata Speciale ndaj ish komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deputeti Gruda kritikoi refuzimin e kërkesës për mbrojtje në liri për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

“Për vlerësimin e tonë, një gjykatë në zemër të Evropës nuk do të duhej të shndërrohej në një mekanizëm të përndjekjes, aq më pak në emër të drejtësisë dhe viktimave të luftës. Fatkeqësisht, vendimi i fundit nuk paraqet drejtësi, por përndjekje të qartë në emër të drejtësisë”, u shpreh Gruda.

Ai bëri thirrje që Gjykata Speciale me seli në Hagë të veprojë me përgjegjësi dhe standarde demokratike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos