Kosova dhe Serbia janë larg një marrëveshjeje finale që do të sillte njohjen e ndërsjellë. Ky është vlerësimi i profesorit amerikan në universitetin “Johns Hopkins”, Daniel SERWER. Në tryezën e organizuar të mërkurën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike për të ardhmen e dialogut, u tha se dialogu teknik ishte shumë më produktiv sesa ai politik, pikërisht pasi të dy palët kanë pritshmëri të tjera në atë çfarë duan.
“Duket se nuk ka një gatishmëri për normalizim politik nga Beogradi. Presidenti Vuciç bëri disa ndryshime politike, ku qeveria e re serbe është në mbështetje të invazionit rus në Ukrainë. Po ashtu edhe eufemizmi për botën serbe ku përfshihet edhe Kosova”, tha Daniel Serwer, profesor amerikan.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko theksoi nevojën që Shtetet e Bashkuara të jenë të përfshira direkt në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Pa prezencë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dyshoj se do të kemi zbatim të marrëveshjes së Brukselti dhe të Ohrit, tash kemi vakum. Beogradi po pret një ndryshim të kontekstit ndërkombëtar që ndoshta do t’i shkojë përshtati. Kur flasim për dialogun duhet të kemi parasysh se çfarë po mendon Beogradi në prapavijë dhe sesi simulon me dialogun dhe shkatërron komunitetin serb në Kosovë”, u shpreh Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit.
Megjithatë, profesori SERWER deklaroi se Ballkani Perëndimor mund të ndikohet nga ndryshimi i mundshëm i administratës amerikane në zgjedhjet e këtij viti, duke thënë se për rajonin është më mirë rikonfirmimi i Biden në Shtëpinë e Bardhë.
“Biden e ka orientuar politikën amerikane më afër Beogradit. Kjo është shumë e qartë, e ruan politikën e mbrojtjes së integritetit territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nëse rizgjidhet do të vazhdojë të bëjë këtë. Trump dallon shumë. Administrata e Trump ka negociuar me Thaçin dhe Vuçiçin edhe për ndarjen e Kosovës”, theksoi Daniel Serwer, profesor amerikan.
Në këtë tryezë, nga të pranishmit u kërkuar një rol më aktiv edhe i Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. (A2 Televizion)