Dorëzohet progres-raporti, Bislimi: Vetëm dy pika kishim jo mirë, njëra ishte peshkimi

Nga A2 CNN
30 Tetor 2024, 20:18 | Politikë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nga konferenca e përbashkët me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadori Aivo Orav, pasi iu dorëzua kryeministrit Albin Kurti progres-raporti për vitin 2024, tha për mediat se i mirëpret rekomandimet e tij dhe se do të vazhdojë zbatimin e rekomandimeve, “pavarësisht masave të padrejta ndaj Kosovës, masa që janë në kundërshtim me vlerat e BE-së”.

“Kosova i ka përmbushë të gjitha kërkesat dhe beson se konform rekomandimit të z.Borell, Këshilli i Ministrave të heqë masat ndaj Kosovës”, tha Bislimi.

Ai ka përmendur progreset e renditura në raport, si ato në politikë të jashtme, drejtësi, ekonomi, politika sociale duke theksuar se puna e mirë nga qeveria e Kosovës do të vijojë në të gjitha drejtimet, raporton A2.

“Te blloku i kritereve politike, raporti nxjerr në pah arritje kyçe në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e barazisë gjinore. Për përpjekjet kundër korrupsionit është nënvizuar themelimi i njësisë speciale hetimore në PK dhe Ligji për prokurorinë speciale. Këto politika kanë forcuar transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes. Ndërkaq avancimet në fushën e barazisë gjinore, si buxhetimi me ndjeshmëri gjinore dhe përfaqësimi i shtuar i grave në nivelin komunal dëshmojnë angazhimin e Qeverisë për qeverisje gjithëpërfshirëse dhe të drejtë”, tha Bislimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos