Escobar takon Osmanin: Nuk po i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira, por edhe Serbisë!

Nga Xhevahir Qardaku
13 Mars 2024, 12:11 | Politikë

Pas deklaratave të forta në Bruksel, erdhi në Prishtinë për vizitën zyrtare. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u prit në një takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Biseda ishte e fokusuar në dialogun Prishtinë-Beograd, zbatimi i marrëveshjeve dhe në çështjen e sigurisë. Presidentja Osmani tha në konferencën e përbashkët për shtyp se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara duhet të jetë bosht i veprimeve të institucioneve të Kosovës. Gjithashtu bëri thirrje për një qasje më të balancuar nga ndërmjetësuesit europian në procesin e dialogut.

Osmani kërkoi që Serbia të akstradojë për në Kosovë të gjithë terroristët e sulmit të Banjskës.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, vuri theksin në zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve, duke nënvizuar se nuk po i kërkohet vetëm Kosovës që të marrë vendime të vështira, por edhe Serbisë. 

Escobar shprehu shqetësimin e tij për sulmin terrorist të shtatorit të kaluar në Banjskë, duke kërkuar që përgjegjësit të dalin sa më shpejt para drejtësisë. 

Jemi të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit. Presim dhe e ftojmë Serbinë që të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar. Kemi shumë për të diskutuar për sfidat, përfshirë edhe vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra për të ecur para me dialogun. Këtu përfshihet edhe Asociacioni, por jo vetëm. Siç e përmendi presidentja Osmani, të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë për të pasur marrëveshje historike. Ftojmë Serbinë të vazhdojë me zbatimin. Nuk duhet vetëm përpjekja  e njëanshme e Kosovës dhe marrja e vendimeve të zorshme e të vështira nga ajo, që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, tha Escobar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos